FATKEQËSIA NUK VJEN KURRË VETËM: NDOTJA E AJRIT DHE COVID-19

February 4, 2021 09:14

Prej vitesh, Ballkani Perëndimor ka qenë një nga rajonet më të prekura nga ndotja e ajrit në Europë. Qytetet në këtë rajon shpesh kryesojnë listat e qyteteve më të ndotura në botë. Kur dikush i shton kësaj dhe pandeminë globale COVID-19, e cila në një masë të madhe shënjoi vitin 2020 dhe vazhdon ende, kjo rezulton në një rritje shtesë të sëmundjeve respiratore dhe nivele më të larta të vdekshmërisë.

Fatkeqësia nuk vjen kurrë vetëm – kjo është një shprehje e njohur në Ballkanin Perëndimor. Praktikisht u përforcua në vitin 2020 kur shoqëritë e varfra, të prekura nga ndotja e ajrit u goditën gjithashtu nga pandemia e COVID-19.

Shkaku kryesor i ndotjes së ajrit në Ballkanin Perëndimor janë grimcat e ngurta (PM), të cilat kanë një ndikim negativ tek të njëjtat qeliza dhe ndaj përbërësve të këtyre qelizavë në organizmin njerëzor, siç ka edhe koronavirusi. Për këtë arsye, personat të cilët janë të ekspozuar çdo ditë ndaj ndotjes së ajrit kanë një sistem më të dobët imunitar, prandaj reagimi i organizmit ndaj pranisë së koronavirusit është më i paqëndrueshëm, gjë që kontribuon në zhvillimin e formave më të rënda të COVID-19, përfshirë edhe vdekje më të shpeshta.

Ekspozimi afatgjatë ndaj substancave të dëmshme të ajrit rrit rrezikun e prekjes nga  sëmundje akute dhe kronike, kryesisht të atyre sëmundjeve që prekin sistemin respirator. Si rezultat i funksionit të tij të cunguar, infeksionet priren të kenë një ndikim më të madh, përfshirë atë të shkaktuar nga koronavirusi (SARS-CoV-2).

Ndotja e Ajrit dhe COVID-19: Cilat janë lidhjet shkakësore?

Në fillim të pandemisë, janë publikuar kërkime dhe studime që tregojnë lidhjen mes numrit të lartë të infektimeve me COVID-19 dhe vdekjeve në rajonet me ajër të ndotur.

Para se të paraqesim rezultate individuale të hulumtimit, duhet të theksojmë se një korrelacion pozitiv midis ndotjes së ajrit dhe numrit të personave të infektuar me COVID-19 pritet apriori, duke pasur parasysh që ndotja e ajrit lidhet me densitetin e lartë të popullsisë, si pasojë edhe numri i vdekjeve është më i lartë. Një përfundim i saktë që ndotja e ajrit kontribuon në rrezikun e vdekjes nga COVID-19 kërkon studime epidemiologjike afatgjata dhe marrjen në konsideratë të shumë faktorëve. Studime të tilla shkencore janë ende duke u hartuar dhe ne nuk mund të deklarojmë me siguri absolute nëse ekziston një lidhje shkakësore midis ndotjes së ajrit dhe COVID-19.

Studimet nga Kina, Anglia, SHBA, Gjermania, Hollanda dhe Italia kanë treguar se ndotja e lartë e ajrit mund të shkaktojë rritjen e numrit të infeksioneve, si dhe nivele më të larta të vdekshmërisë si pasoj e COVID-19[1]. Studimet në Gjermani tregojnë se një rritje e PM10 rrit gjithashtu vdekshmërinë tek pacientët me COVID-19 të moshës mbi 80 vjeç, me 30% tek burrat dhe me 35% tek gratë[2].

Kur krahason këto të dhëna, mund të konkludohet se ndotja e ajrit rrit nivelet e vdekshmërisë të të prekurve me COVID-19 me 15% në nivel global dhe me 19% në Europë[3]. Siç u përmend edhe më parë, shkaku kryesor i ndotjes së ajrit grimcat e ngurta, dhe një rritje e përqendrimit të saj me 1 mikrogram për metër kub rrit vdekshmërinë nga COVID-19 me 11%[4].

Fatkeqësisht, kur bëhet fjalë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, ende ka mungesë të studimeve dhe hulumtimeve përkatëse, të cilat na pengojnë të nxjerrim të dhëna konkrete. Ka një probabilitet të lart që këto të dhëna nuk do të ndryshojnë në lidhje me këtë rajon, madje supozohet se do të jenë edhe më keq. Edhe pa ndikimin e COVID-19, ndotja e ajrit në rajon shkakton deri në 13,500 vdekje të parakohshme çdo vit; deri më tani, 693,902 njerëz janë prekur nga COVID-19 dhe 13,423 kanë vdekur si rezultat i tij.

Si të përmirësojmë situatën epidemiologjike dhe të kemi ajër më të pastër në Ballkanin Perëndimor?

Faktet dhe studimet shkencore mbi korrelacionin midis ndotjes së ajrit dhe COVID-19 po rriten çdo ditë. Sidoqoftë, siç kemi thënë, duhet të merren parasysh kufizimet e këtyre studimeve. Për të reaguar si duhet, është e nevojshme të merren vendime bazuar në informacione të vlefshme. Prandaj, zhvillimi i të paktën një, apo edhe disa studimeve, është i nevojshëm, duke analizuar korrelacionin midis ndotjes së ajrit dhe COVID-19 në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Analiza të tilla duhet të planifikohen dhe të kryhen me rigorozitet, në mënyrë që ato të na bëjnë të mundur nxjerrjen e konkluzioneve dhe rekomandimeve adekuate në lidhje me masat që duhen ndërmarrë.

Kur jepen rekomandime për masat, duhet gjithashtu të merret parasysh gjendja e sistemeve të kujdesit shëndetësor të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Rrjedha e pandemisë ka nxjerrë në pah pasojat e mungesës së shtretërve spitalorë, trendin e migrimit të mjekëve dhe personelit mjekësor, respirator dhe pajisje të tjera të pamjaftueshëm, si dhe një mungesë të përgjithshme në investime. Në një kohë kur ato preken nga pandemia e COVID-19, presioni mbi këto sisteme të brishta të kujdesit shëndetësor shpesh tejkalon nivelet maksimale. Prandaj, është e nevojshme të rritet pjesëmarrja e përfaqësuesve të sektorit të kujdesit shëndetësor në proceset e vendimmarrjes, në mënyrë që të sigurohet integrimi në kohë i masave të kujdesit shëndetësor në politikat që kanë si qëllim mbrojtjen e mjedisit.

Qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të reagojnë dhe të përmirësojnë efikasitetin në zbatimin e ligjeve dhe vendimeve në fushën e mbrojtjes së mjedisit në mënyrë që të kenë përfitime më të mëdha në kujdesin shëndetësor dhe atë ekonomik për të gjithë qytetarët. Vetëm termocentralet me qymyr në Ballkanin Perëndimor, shkaktojnë dëme ekonomike në formën e kostove të kujdesit shëndetësor të vlerësuara në 1.9-3.6 miliardë Euro, që paguhen nga qytetarët e rajonit çdo vit.

Së fundmi, duhet theksuar se COVID-19 pas disa kohësh do të jetë një gjë e së kaluarës, por ndotja e ajrit nuk duhet të mbetet pjesë e “normalitetit” të deritanishëm. Një reagim në kohë nënkupton që masat për të përmirësuar cilësinë e ajrit të futen në politikat publike dhe tek planet e ndihmës për COVID-19 në përputhje me angazhimet e përfshira në Axhendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, e cila u pranua nga të gjitha shtetet.

Në fakt, në Ballkanin Perëndimor fatkeqësia nuk vjen kurrë vetëm – duhet të bëjmë një betejë solidare në fronte të shumëfishta për të mposhtur këtë fatkeqësi. Për këtë arsye, është e rëndësishme të zhvillohen politika rajonale multisektoriale që përfshijnë përmirësimin e mjedisit dhe shëndetit publik, duke pasur parasysh që ky lloj problemi kërkon një zgjidhje të përbashkët, rajonale.


[1] Isphording, Ingo E. and Pestel, Nico, Pandemic Meets Pollution: Poor Air Quality Increases Deaths by COVID -19 (2020). CESifo Ëorking Paper No. 8495, Available at: SSRN: https://ssrn.com/abstract=3680352

[2] Pozzer A,Dominici F,Haines A,Witt C,Munzel T.Lelieveld J, Regional and global contributions of air pollution to risk of death from COVID-19, Cardiovascular Research(2020),116:2247-2253, Available at: https://academic.oup.com/cardiovascres/article/116/14/2247/5940460

[3] Bhandary N., Air pollution a co-factor in COVID-19 mortality

[4] X Wu, R C Nethery, M B Sabath, D Braun, F Dominici, Air pollution and COVID-19 mortality in the United States: Strengths and limitations of an ecological regression analysis, Sci Adv.2020:6, November 4, 2020. Available at: https://pubmed.ncbi.nlm.nih.gov/33148655/

February 4, 2021 09:14
Write a comment

No Comments

No Comments Yet!

Let me tell You a sad story ! There are no comments yet, but You can be first one to comment this article.

Write a comment
View comments

Write a comment

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

donatorët / partnerët